Get paid to share your links!

Monday, September 15, 2014

Ukraina: Putin po planifikon rikthimin e Bashkimit Sovjetik


Në Kiev, Kryeministri në detyrë, Arseni Jacenjuk deklaroi se qëllimi kryesor i Presidentit rus, Vladimir Putin është të rindërtojë Bashkimin Sovjetik, duke shkatërruar Ukrainën. Në një konferencë ndërkombëtare sigurie, teksa ai vlerësoi me realitet gjendjen aktuale të vendit të tij, tha se zgjidhja e çështjes do të kërkonte një presion më të madh ndaj Moskës.
Arseniy Yatsenyuk, Kryeministër i Ukrainës: "Ne nuk jemi aq të fortë sa të zhvillojmë bisedime direkte dhe të arrijmë në një marrëveshje dypalëshe me Rusinë. Është e qartë se ata do të luajnë me ne dhe në fakt kjo është ajo që presin që ne të bëjmë. Putin dëshiron një konflikt 'të ngrirë' dhe të vendosë duart e tij të ndyra në belin tonë".
Aktualisht, armëpushimi i arritur javën e shkuar është respektuar gjerësisht nga të dyja palët në terren, edhe pse herë pas here ka njoftime për shkëmbime sporadike zjarri.
Nga ana tjetër, karvani i dytë humanitar rus për zonat nën kontrollin e separatistëve në lindje të Ukrainës, hyri në territorin e këtij shteti në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Bëhet fjalë për 200 kamionë që transportojnë rreth 2 mijë ton ushqime, medikamente dhe pajisje për energjinë e pastrimin e ujit.
Ndihmat janë të destinuara për banorët e rajonit të Luhanskut dhe shoqërimi i tyre, sipas marrëveshjes, bëhet si nga policia ukrainase, ashtu edhe nga forcat filoruse.
E teksa Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara vendosën një ditë më parë sanksione të reja ndaj Rusisë, Perëndimi është në pritje të kundërpërgjigjes së Moskës për këtë qëllim.

Barroso: Armëpushimi nuk mjafton

Armëpushimi ndërmjet trupave ukrainase dhe separatistëve pro rusë nuk është i mjaftueshëm për të garantuar paqe afatgjatë, ka thënë Presidenti në largim i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
"Situata në Ukrainë vazhdon të jetë e ndjeshme. Armëpushimi sigurisht është hap pozitiv dhe duhet të respektohet. Megjithatë, ai nuk garanton paqe afatgjatë", ka thënë Barroso në Kiev, në konferencën e përbashkët për gazetarë me Presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko.
Barroso ka shtuar se zgjidhja politike e krizës në Ukrainë duhet të bazohet në sovranitetin e Ukrainës.

Mungesa e gazit rus

Ministri ukrainas i Energjisë, Juri Prodanm deklaroi se qeveria duhet të miratojë këtë dimër masa jopopullore mbi kursimin e energjisë nëse Rusia nuk i rifillon lëvrimet e saj të gazit në Ukrainë, që u ndërprenë në qershor. Kompania ruse e gazit, "Gazprom" ndërpreu furnizimet për ish-Republikën sovjetike për shkak të mosmarrëveshjeve mbi borxhin që arrinte disa miliarda dollarë nga ana e Kievit, si dhe për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çmimin. Ukraina importoi nga Rusia gjysmën e konsumit të saj të gazit vitin e kaluar. Ajo aktualisht po përpiqet të kompensojë mungesën e gazit rus, duke u kthyer nga aleatët evropianë nëpërmjet një sistemi të "ndryshimit të fluksit". "Komisioni Evropian ftoi dje ministrin rus dhe ukrainas të Energjisë për rihapjen e bisedimeve mbi lëvrimin e gazit rus drejt Ukrainës", sipas një zëdhënësi të komisionerit të Energjisë, Gunther Oettinger.

SHBA dhe BE, sanksione të reja ndaj Rusisë

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një paketë sanksionesh të reja ekonomike kundër Rusisë si rezultat i veprimeve të saj në Ukrainë.
Sanksionet e reja të Bashkimit Evropian hynë në fuqi dhe kanë në shenjestër firma të sektorit energjetik rus, përfshirë Rosneft - kompania më e madhe ruse e naftës, Gazprom Neft - dega që merret me naftën brenda Gazpromit dhe Transneft - operatori rus i tubacioneve. Po ashtu sanksionet vënë në shënjestër edhe firma të mëdha të mbrojtjes, duke mos i lejuar këto kompani të sigurojnë investitorë apo kredi në tregun e BE-së.
Sanksionet vënë në shënjestër edhe individë, përfshirë udhëheqës të separatistëve pro rusë, si dhe biznesmenë dhe politikanë të njohur rusë, ndër të cilët Sergei Chemezov, një bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Vladimir Putin, i cili kryeson firmën e armëve dhe teknologjisë Rostec, si dhe politikanin ultranacionalist, Vladimir Zhirinovski.
Edhe sanksionet e reja amerikane godasin kompani të energjisë dhe mbrojtjes ruse, si dhe banka ruse, përfshirë për herë të parë masat kundër Sberbank, banka më e madhe e Rusisë.
Presidenti Putin tha se sanksionet e reja minojnë procesin e paqes në Ukrainën Lindore, por shtoi se përgjigjja e Moskës do të përqendrohej tek mbrojtja e prodhuesve rusë.


No comments:

Post a Comment